Gjykata e Apelit ka vendosur që deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi të mbeten në paraburgim.

Kësisoj kjo gjykatë e  ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e avokatit mbrojtës të Kurtit kundër aktvendimit  mbi caktimin e masës së paraburgimit prej 1 muaji, të nxjerrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 27 nëntor.

Kolegji profesional prej tre gjyqtarësh i kësaj gjykate, ka vlerësuar se pretendimet ankimore të mbrojtjes janë të pa bazuara, ngase dy deputetët e VV-së më 26 nëntor e kanë  shkelur masën e arrestit shtëpiak, të caktuar nga ana e Gjykatës së Apelit një ditë më parë.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli po akuzohen për veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend. / Klan Kosova