6

Për avionin “Aeropakt A22S” të mbushur me hashash dhe që drejtohej nga piloti Vilson Lamaj autoritetet shqiptare nuk dinin asgjë. Kjo provohet nga deklarata e zyrës së menaxhimit të trafikut ajror shqiptar Albkontrolli. Në të thuhet se avioni “ultralight” nuk është i pajisur me transponder dhe për këtë fakt nuk mund të identifikohet në fluturim nga radarët sekondarë shqiptarë. Por, ndryshe thonë autoritetet italiane.

Sipas materialit të dorëzuar në Prokurori, policia italiane ka monitoruar me radarët e saj sekondare të gjithë itinerarin e lëvizjeve të avionit të drejtuar nga i arrestuari Lamaj. Në dosje thuhet se avionit i ishte vendosur një pajisje GPS-i, që tregonte në monitorët e radarëve Italian të gjithë lëvizjet e tij, që nga moment i nisjes nga pista e Aero Club në Ostuni të Puglias e deri në afërsi të fshatit Xhelilaj të Vlorës, ku është ngarkuar me hashash për në Itali.

Të njëjtat burime thanë se nëse radarët sekondare shqiptare do të ishin në punë ditën e fluturimit, avioni “Aeropakt A22S” do të diktohej prej tyre nëpërmjet GPS-it të vendosur nga policia italiane. Pavarësisht këtyre kontradiktave, deklarata e Albkontrollit tregon edhe njëherë se autoritetet shqiptare nuk kontrollojnë hapësirën ajrore, edhe pse cënohet herë pas here nga avione të vegjël të mbushur me lëndë narkotike si ai që u kap së fundmi në Itali.

Për këtë shqetësim të mosfunksionimit të radarëve sekondare, autoritetet shqiptare kanë marrë një letër nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil në vitin 2014 ku kjo cilësohet një shkelje e rëndë. Në këtë dokument kërkohet në mënyrë urgjente marrja e masave për kontrollin sa me specifik të hapësirës tonë ajrore për të gjitha fluturimet e ulta.

Në letër kërkohet plotësimi i kritereve të Organizates Ndërkombëtare të Aviacionit Civil për kontrollin e detajuar të hapësirës ajrore, por megjithëse ka kaluar gati një vit nuk është marrë asnjë masë.

Tv Klan