Reagimi i dr. Jusuf Ulajt i cili ka qenë edhe kandidat i VV’së për deputet në zgjedhjet e kaluara:

“Interpretimi i rëntgenit të Albulena Haxhiut është tërësisht i gabuar dhe shpifës. Ndërsa publikimi i këtij rëntgeni është tërësisht kriminal.

Së pari, si profesionist i mjekësisë, dëshiroj të sqaroj për opinionin se në raportin e publikuar ne media të radiologut Dr Hakif Thaqi, qe ka bërë interpretimin e filmit, shkruan se: “ Kraniogrami dhe pelviku janë rtg. pa ndryshime traumatike “ – pra nuk shkruan askund se në trupin e sajë janë gjetur “trupa të huaj” që do ishte e domosdoshme të shënoheshin nëse kanë qenë prezente.

Pra, të gjitha interpretimet e publikuara nëpër media të ndryshme, sipas së cilave zonja Haxhiu e ka fshehur gazin në trupin e saj, janë saktësisht të gabuara.

Arsyen se pse këto medie po marrin përsipër të bëjnë punën e mjekut, dhe ta bëjnë keq këtë punë, nuk i di. Por, edhe një herë, si mjek, me përgjegjësinë e plotë profesionale, ligjore dhe etike, pohoj se, siç duket edhe në fotografinë e publikuar, në trupin e zonjës Haxhiu nuk ka asnjë objekt.  Këtë gjë mund ta vërtetojë kushdo, duke e paraqitur të njëjtën fotografi tek një mjek profesionist.

 

Së dyti, mënyra se si ka dalë ky rëntgen në publik është shqetësuese. Kjo përbën thyerje të Betimit të Hipokratit, betim të cilin e jep çdo mjek.  Ata mjekë që kanë nxjerrë në publik këtë rëntgen kanë thyer çdo kod etik edhe ligjor të mjekësisë, sepse ruajtja e diskrecionit të pacientit është obligative në çdo kusht. Këta mjekë duhet të mbahen përgjegjës para ligjit.

Në Kosovë në ditët e fundit kemi dëgjuar shpesh raste mjekësh që kanë përfituar padrejtësisht në kurriz të pacientëve të tyre, siç ishte dhe rasti i “stendave”. Rasti me publikimin e rëntgenit të Albulena Haxhiut është një rast i ngjashëm”.

Sipas gazetës “Ekspres” në Kosovë, deputetja Albulena Haxhiu e kishte fshehur bombën e gazit lotsjellës, përmes organeve gjenitale. Lajmi u përgënjeshtrua, por këtë të martë, gazeta Ekspres publikoi ekografinë e bërë në spital. Aty duket një objekt i jashtëm në trupin e deputetes.

“Ka qenë një ditë mjaft e rëndë”, tregoi një mjek i pranishëm në momentin e shtrimit të deputetit në spital. “Pacientja ishte e traumatizuar dhe e frikësuar. Ndërsa brenda sallës po shtyheshin policët dhe familjarët”.

“E vërteta është se brenda trupit të deputetes është gjetur një objekt” – tregoi mjeku për gazetën Ekspres. Edhe më herët ka pasur dyshime se gazilotsjellës futej në Kuvendin e Kosovës nëpërmjet deputeteve femra, megjithëse zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosja vazhdimisht kanë deklaruar se kjo bëhej me ndihmën e vetë policisë.

Tv Klan