Në raundin e dytë të zgjedhjeve në Maqedoni BDI-ja e Ali Ahmetit, do të ketë përballë koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa. Liderët e dy partive shqiptare, Ziadin Sela dhe Bilall Kasami, arritën marrëveshje për të bashkuar forcat për balotazhin e 29 tetorit.

Sipas ujdisë së lidhur mes dy krerëve partiakë, Besa do të mbështesë Aleancën në komunat Gostivar, Strugë, Bogovinë, Vrapcisht dhe Dibër. Nga ana tjetër ndërkaq Aleanca për Shqiptarët do të mbështesë Besën në Saraj, Çair, Tetovë, Likovë, Tearcë dhe Studeniçan.

Ndonëse Aleanca për Shqiptarët është pjesë e qeverisë me BDI-në dhe LSDM-në, Ziadin Sela tha se elektorati kërkon vazhdimin e betejës kundër BDI-së.

Zgjedhjet lokale në Maqedoni nxorën fitues LSDM-në e Zoran Zaev, por mbeten ende edhe 14 komuna, kryesisht të banuara nga shqiptarë, ku balotazhi do të përcaktojë fituesit./Tv Klan