Të larguarve nga listat e kandidatëve të Partisë Demokratike mund t’i shtohet edhe deputeti i listës së Qarkut të Beratit Lefter Maliqi. Përmes një statusi në Facebook Maliqi, i cili është i treti në listën e PD-së, njofton se do të mungojë në hapjen e fushatës të Lulzim Bashës, dhe thotë se i lë kohë kryetarit deri nesër në orën 24.00  për të sqaruar premtimet e pambajtura të tij.

Nesër në hapjen e fushatës në Berat ku z.Basha i Republikës së re bën prezantimin e kandidatëve nuk do të jem i pranishëm për arsye personale. Nesër deri në orë 12 të Natës pres takim me z.Basha për premtimin e pambajtur të tij”.

Nga listat e PD-së po largohen njëri pas tjetrit edhe krerë të partive aleate. Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit Sulejman Gjana deklaroi publikisht se nuk e pranon renditjen e emrit të tij në vendin e katërt të listës së Qarkut të Dibres.

“Renditja e kryetarit të PLL në pozicionin e katërt të listës së PD në Qarkun e Dibrës, jo vetëm që është e padenjë dhe fyese për mua personalisht dhe PLL, por është edhe një tregues i qartë se PD nuk e dëshiron prezencën e PLL në Parlament as zërin e shtresave që ne përfaqësojmë dhe si rrjedhojë as edhe bashkëpunimin me ne”.

Përveç legalistëve, edhe ballistët janë të pakënaqur me vendosjen e kreut të tyre Adriatik Alimadhi të gjashtin në listën e Vlorës. Dega e partisë së këtij qyteti i kërkojnë Alimadhit të tërhiqet nga gara.

“Jemi të pavlerësuar nga z. Basha dhe nuk lejojmë askënd të na marrë nëpërkëmbë dinjitetin tonë aq më keq të Partisë Balli Kombëtar që e kemi larë me gjak të pastër nacionalistësh. Ndihemi të diskriminuar prej tij dhe Partisë Demokratike”.

Një tjetër aleat i larguar prej Partisë Demokratike ishte dhe Sazan Guri nga lista që qarkut të Beratit. Vargut të braktisjes së garës elektorale iu shtua edhe kreu i degës së partisë së Shkodrës, Ramiz Çobaj i renditur i teti në qarkun e Shkodrës.

Edhe ish -zv/ministrja e Jashtme, Edit Harxhi iu shtua zërave kundër kryetarit Basha. Në një postim në Twitter ajo shkruan:

“Më mashtrove një herë, turpi yt, më mashtrove dy herë, faji im… unë jam dhe do mbetem PD…kauza mbetet, por vetëm kauza. Koha për t’u shkundur”.

Tv Klan