Në historinë e kinemasë ruse, Alexander Sokurov është një nga regjisorët më të mëdhenj e të njohur. Fituesi i shumë çmimeve në festivalet ndërkombëtare të filmit, i fundit ai i “Luani i Artë”, në Venecia, prej pak ditësh ndodhet në Tiranë. Ardhja e tij e parë në Shqipëri lidhet me një projekt të rëndësishëm kinematografik, realizimin e një filmi, një bashkëprodhim ruso-shqiptar. Jo në rolin e regjisorit por pjesë e stafit realizues të filmit, Alexander Sokurov, thotë se ky bashkëpunim vjen edhe si një kërkesë e kohës.

“Jetojmë në një moment kur është e vështirë të prodhosh një film të mirë dhe të metrazhit të gjatë i vetëm. Për këtë arsye e mirëpritëm ftesën e producentëve shqiptarë për të realizuar një film i cili, nuk është vetëm historia e shqiptarëve por e gjithë atyre njerëzve që jetuan në izolimin komunist”.

Regjisori rus takimin e parë e zhvilloi me studentët dhe pedagogët e Universitetit të Arteve, ku foli për mësimet që i kishte dhënë kinemaja ndër vite, këndvështrimin e tij mbi rolin e medias në raport me të vërtetën dhe disa sekrete për realizimin e suksesshëm të një filmi.

Tv Klan