Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka reaguar lidhur me shtyrjen e heqjes së imunitetit ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Në një deklaratë për mediat ai tha se Saimir Tahiri është mbrojtur nga kreyministri Edi Rama në mënyrë që të fshehë provat si dhe ka kërcënuar prokurorët.

Fjala e Enkelejd Alibeajt

“Ajo çfarë po ndodh është së PS në Komisionin e Mandateve dhe të Imunitetit me urdhër të Edi Ramës nuk lejoi drejtësinë të funksionojë, i dha kohë Saimir Tahirit të zhdukë çdo provë, çdo objekt komprometues në shtëpi dhe ministri. Duke qenë se Edi Rama ka vënë gjithë shtetin në dispozicion të paktit të tij kriminal. Pakti është që Tahiri  t’ia hedhë pa u lagur në mënyrë që të shpëtojë, ai,  Rama dhe të tijtë. Përndryshe nëse miratohej kërkesa e Prokurorisë, Tahiri do të merrte me vete Edi Ramën për shkak të dëshmive që ka për të. Edhe pse drejtësia italiane solli mijëra faqe që provon katërcipërisht përfshirja e Tahirit, dhurata me diamante,  20 milionë euro që i duheshin për fushatë, ai sërish u mor në mbrojte nga Edi Rama, iu dha koha e mjaftueshme të prishë provat dhe të kërcënojë dëshmitarët.

Parlamenti gjykon vetëm legjitimitetin dhe ligjshmërinë e kërkesës, nuk pranon dhe nuk gjykon prova sepse nuk është gjykata. Parlamenti gjykon politikisht dhe jo si gjykata. Me urdhër të Ramës parlamenti u kthye në hetuesi dhe gjykatë kundër prokurorëve.  Rama dhe Xhafaj sulmuan ashpër prokurorët dhe Tahiri i sulmoi ata. Lidhja e Tahirit me krimin ka ndodhur shumë kohë para se ai të bëhej ministër. Lidhja e tij ka nisur që në vitin 2013 përpara se ai të bëhej ministër.

Kjo shpjegon faktin sesi u vunë në dispozicion të avionëve të drogës. Rama ka dy standardë për drejtësinë, një për Tahirin dhe një për qytetarët e thjeshtë. Rama nuk e lëshon karrigen. Me Ramën drejtësi  ka rënë, shteti ka rënë Vettingu ka rënë. Shqiptarët nuk kanë çfarë presin më dhe duhet të marrin fatet e tyre”.

/tvklan.al