Kompania më e madhe italiane e fluturimeve Alitalia është sërish në rrezik falimentimi. Në një proces votimi në formën e referendumit të zhvilluar të hënën, 67% e punonjësve votuan kundër planit të kompanisë për reduktimin e shpenzimeve të kompanisë me 1 miliardë euro për 3 vitet e ardhshme.

Drejtuesit e kompanisë, prej kohësh po negociojnë me sindikatat për planin e shpëtimit që parashikonte  shkurtimin e deri 2 mijë vendeve të punës dhe ulje pagash deri 30% për 11 400 të punësuarit e kompanisë. Një marrëveshje paraprake u arrit në 14 prill, ku u fol për një ulje deri në 8% të pagave. Një prej rrugëzgjidhjeve tani është që shteti italian të ndërmjetësojë për të shmangur falimentin.

Prej 2013, Alitalia është në vështirësi financiare dhe rrezikonte mbylljen. Por kompania po qëndron më këmbë përmes një ndihme financiare prej 500 milionë eurosh, një pjesë të së cilës e ka dhënë shteti italian që kontrollon mbi 19% të aksioneve përmes Postës Italiane. Ndihma më e madhe, kompanisë i erdhi nga Etihad Airlines shoqëria shtetërore e fluturimeve me qendër në Emiratet e Bashkuara që në gusht 2014 bleu 51% të aksioneve të Alitalias./ABCNEWS