Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup ka reaguar duke shprehur shqetësimin në lidhje me vendimin e marrë nga presidenti Gjorge Ivanov, për t’i amnistuar politikanët e Maqedonisë që janë nën hetim.

“Presim detaje të mëtejshme dhe sqarime. Megjithatë, deklarata e kryetarit ka shkaktuar shqetësim për angazhimin e Maqedonisë për mbisundimin e drejtësisë”,

thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Shkup.

Presidenti Gjorge Ivanov sot pasdite ka bërë të ditur vendimin që të firmosë faljen e të gjithë politikanëve të cilët janë nën hetim, ndaj të cilëve është ngritur procedure hetimore si dhe për një politikan i cili është duke vuajtur dënimin me burg.

Ivanov me këtë rast nuk ka nënvizuar se për cilët politikanë bëhet fjalë. Ai ka theksuar se vendimin e ka marrë vetë dhe se për këtë nuk i ka njoftuar politikanët për arsye se ndoshta ndonjëri prej tyre ndihet i pafajshëm dhe këtë dëshiron ta tregoj përmes procedurës gjyqësore./tvklan.al