Ligji i miratuar të enjten në parlament nga mazhoranca për anëtarësimin e detyrueshëm të të gjitha bizneseve  pranë dhomave të tregtisë është një nga absurdet që mund të jetë votuar ndonjeherë në Kuvedin e Republikës së Shqipërisë. Kështu e konsiderojnë atë vetë dhomat e huaja të tregtisë në vend.

Ligji e bën të detyrueshëm anëtarësimin e bizneseve pranë këtyre dhomave kundrejt pagesave vjetore që shkojnë deri në 1 milionë lekë të vjetra.

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crowford thotë se anëtarësimi me detyrim s’është gjë tjetër veçse një taksë e re që u vihet bizneseve.

Përveç këtij absurdi Dhoma Amerikane thotë se ligji ka mangësi, sepse nuk ka përcaktuar qartë çfarë i pret bizneset që nuk pranojnë të anëtarësohen, të cilat mund të jenë penalitete të fshehura.

Shqetësim tjetër i Dhomës Amerikane, që ka të anëtarësuar në mënyrë vullnetare mbi 230 anëtarë, është fakti që këto para, dhomat e tregtisë mund t’i përdorin për të lobuar edhe për çështje për të cilat bizneset anëtarë janë kundër.

Edhe dhoma britanike në një qëndrim zyrtar thotë se

“Anëtarsimi i detyruar është një kosto ekstra dhe gjobëvënie ndaj biznesit. Nuk kuptohet arsyeja përse u miratua një ligj i tillë, kur edhe vetë dhomat e tregtisë që mendohet se do të përfitojnë prej tij, janë kundër.”

Në ndryshim nga ligji i vitit 2008, me ligjin e miratuar këtë të enjte, të gjithë bizneset do të jenë të detyruar të jenë anëtarë të dhomave të tregtisë, pavarësisht nëse këto dhoma i përfaqësojnë apo jo interesat e tyre në mënyrë të drejtë dhe pavarësisht faktit se politikat e dhomave mund të shkojnë në kundërshtim me idetë zhvillimore të tyre. Nga ky ligj pritet të preken afro 195 558 biznese aktive në Shqipëri.

Tv Klan