Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare i ka kërkuar të gjitha kompanive të sigurimit që të ndalojnë përdorimin e tarifave të rritura për siguracionet e makinave, që nisi në datën 23 Gusht.

Me anë të një shkrese të nisur në mënyrë zyrtare, AMF i bën thirrje të gjitha kompanive që për këtë shërbim, të aplikojnë çmimet e vjetra .

letra e amf

Në letrën e siguruar nga Televizioni Klan, AMF pranon se nuk është vënë në dijeni për rritjen e çmimit, me afro 20 %. Kjo është edhe shkelja që sipas AMF kanë kryer kompanitë e sigurimeve, dhe bazuar në këtë shkelje, autoriteti kërkon ndërprerjen e aplikimit të çmimeve të rritura.

“Në rast se shoqëria e sigurimit nuk njofton në Autoritet per  tarifat e ndryshuara në Qendrën e Informacionit mbeten të fiksuara tarifat e mëparshme. Si rrjedhojë kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të aplikimit të tarifave të reja”- thuhet në shkresë.

AMF sqaron se për rritjen e çmimit të siguracioneve, pranë këtij organi nuk janë depozituar metodika dhe bazat teknike të përdorura për llogaritjen e primit të rriskut dhe të primit të sigurimit .

Sipas shkresës së Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, në rritjen e bërë nga kompanitë është shkelur ligji për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit.

Ky autoritet thotë se po punon për të analizuar të gjithë faktorët që do të çojnë në një rritje reale të primeve të sigurimit motorik në të ardhmen.

Prej më shumë se një jave, qytetarët po paguajnë me afro 3000 lekë më shumë siguracionin e makinave, pa e ditur arsyen.

Tv Klan