Ministria e Shëndetësisë nuk ka kërkuar mendim dhe vlerësim pranë Autoritetit të Konkurrencës për koncesionin e shërbimit të laboratorëve.

Shqetësimin për anashkalimin e këtij detyrimi ligjor, në shumë kontrata në vite, ky autoritet e ka shprehur edhe në raportin vjetor të dorëzuar në Kuvend, ku thotë se gjatë vitit 2016-të ka arritur të shqyrtojë vetëm dy marrëveshje koncesionare, njëra me nismën e Ministrisë së Transporteve dhe tjetra me nismën e autoritetit të konkurrencës, të dyja në fushën e transporteve.

Në bazë të ligjit për konkurrencën çdo organ i pushtetit vendor ose qendror duhet të kërkojë vlerësim pranë autoritetit për të gjitha nismat të cilat kufizojnë tregun ose vendosin të drejta ekskluzive në zona të veçanta.

Në rastin e kontratës për shërbimin e laboratorëve, projekti i dhënies me koncesion të këtij shërbimi duhet të merrte një vlerësim paraprak nëse kufizonte tregun, dhe cilat do të ishin pasojat e kufizimit të tregut mbi konsumatorin dhe buxhetin e shtetit.

Edhe pse ky është shërbimi i katërt ekskluziv që ministria e Shëndetësisë jep te privati, asnjë prej marrëveshjeve nuk ka shkuar për tu vlerësuar Autoriteti i Konkurrencës.

Tv Klan