Trajneri italian i Bayern Munchen, Carlo Ancelotti, ishte i ftuari special i Kryeministrit Edi Rama në një promovim të librit të tij,

“Lideri i qetë: Të fitosh zemrat, mendjet dhe ndeshjet”

. Në takimin e zhvilluar merrnin pjesë gazetarë dhe përfaqësues të sportit shqiptar. Trajneri italian tha se paraqitja e Shqipërisë në europian ishte mbresëlënëse.

“E pashë mirë Shqipërinë, shumë mirë në grup, por sidomos në kualifikuese. Po flisnim pak ditë më parë në mbledhjen e trajnerëve në UEFA se gjëja e bukur e këtij Europiani ishin të vegjlit si Shqipëria. Sollën në Europë një entuziazëm të madh dhe kjo është bukuria e futbollit. Në UEFA ka bërë përshtypje që fitoi Portugalia. Për ju, më vjen keq, pasi nëse barazonit ndeshjen e parë, do kalonit grupin.

Gazetarët e ngacmuan Ancelottin nëse ka një formulë se si Shqipëria mund të mundë Italinë në përballjet për botërorin e Rusisë, por tekniku dha një përgjigje diplomatike.

“Për këtë duhet të mendojë Gianni. Mendoj se hovi që ka pësuar Shqipëria në vitet e fundit është falë punës së Giannit. Distanca mes skuadrave është ulur shumë. Shqipëria ka bërë një Europian shumë të mirë. Mendoj se çdo skuadër ka objektivin e vet, që lidhet me cilësinë e lojtarëve që keni në dispozicion. Unë mendoj se një skuadër e vogël klubi nuk mund të fitojë Champions, por mundet të bëjë futboll të mirë, zbavitës. Kjo mund të arrihet në çdo skuadër, edhe kjo është një fitore”.

Nuk munguan në këtë takim dhuratat simbolike për trajnerin e njohur italian.

Tv Klan