Në një kamp emigrantësh në Libi ku zhvillohet një ankand i mirëfilltë për blerjen e emigrantëve, sikur në kohërat e tregtisë së skllevërve.

Blerësit kërkojnë kryesisht djem të rinj, të fortë e të aftë për të punuar tokën. Dy të rinj shiten për 400 dollarë secili. Ishte rrjeti televiziv CNN që denoncoi shitjen e emigrantëve, të cilët janë në kërkim të një jete më të mirë në Europë, larg masakrave dhe luftimeve në vendet e tyre, por që përfundojnë si objekt i skllavo-pronarëve të rinj të shekullit të 21-të.

Përmes një investigimi, CNN zbuloi një rrjet të vërtetë të trafikut të qënieve njerëzore, madje edhe një prej personave që shiste emigrantët. Në video duket trafikanti i njerëzve që shet një djalë që konsiderohet i fuqishëm, në gjendje për të gërmuar.

Disa prej emigrantëve e pranojnë hapur përpara kamerave që janë shitur për një grusht parash tek persona që as nuk i njohin. Ata rrëfejnë gjithashtu se janë dhunuar fizikisht.

Situata e rëndë e emigrantëve në kampet libiane ka ngjallur reagimin e OKB-së, që kritikon ashpër BE për menaxhimin e fluksit dhe paktin me qeverinë libiane. Trajtimi i emigrantëve në kampet e emigrantëve është çnjerëzor, vlerësoi OKB.

Nuk vonoi reagimi i Brukselit që u shpreh se qëllimi kryesor i misionit në Libi është shpëtimi i jetëve, por duke nënvizuar se ekzistenca e kampeve që i përngjajnë burgjeve është e papranueshme.

Tv Klan