Athina e shikon dhunimin e hapësirës së saj ajrore dhe detare nga ana e avionëve dhe anijeve turke si një testim që Ankaraja po i bën vendosmërisë së saj.

Kështu shkruan e përditshmja greke “Ekathimerini”, e cila thotë se tensionet mes dy vendeve u përshkallëzuan më tej të Premten kur një anije e rojës bregdetare turke qëlloi me municion të vërtetë gjatë një stërvitjeje ushtarake të mbajtur në ujërat territoriale greke në Egjeun e Lindjes.

Incidenti është shikuar si pjesë e trendit që filloi më 29 Janar, kur një anije ushtarake turke me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Hulusi Akar, lundroi përreth ishujve të diskutuar të Imia-s (Karadakut në Turqisht).

Që prej asaj kohe anijet turke te patrullimit janë sjellë shumë herë rreth ishujve që Greqia thotë se janë të sajat, përfshirë ishujt Panaghia dhe Farmakonisi – të cilët kanë roje permanente greke. Në krahun tjetër, avionët turq kanë vijuar dhe dhunimin e hapësirës ajrore greke, duke çuar në interceptime të rrezikshme mes avionëve të dy vendeve.

Sipas analistëve grekë, qëndrimi me prirje drejt konfrontimit i Ankarasë lidhet me referendumin kushtetues të 16 Prillit, të thirrur nga Presidenti Erdogan, i cili po kërkon të rrisë pushtetin e tij.

Me sondazhet që tregojnë se dy krahët janë kokë më kokë, analistët thonë se Erdogani po shton retorikën e tij nacionaliste për të përfituar pikë.

“Ekathimerini” thotë se kjo retorikë nacionaliste ka pasur ndikimin e saj edhe në bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB-ja për bashkimin e Qipros, e cila mbetet e ndarë që prej vitit 1974 kur Turqia ndërhyri me ushtri për të mbrojtur turqit e ishullit.

Në përgjigje të lëvizjeve të Ankarasë, gazeta thotë se Greqia po përpiqet të rrisë prezencën e saj diplomatike në skenën ndërkombëtare nëpërmjet NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Pavarësisht kufizimeve financiare, qeveria greke po përpiqet të ruajë prezencën me flotën e saj në operacionet NATO-s dhe Bashkimit Evropian./tvklan.al