Mbrëmjen e së mërkurës “Antagonisti” pati shfaqjen e tij premierë në Kinema Millenium. Filmi dokumentar i regjisorit Roland Sejko, ndërtuar mbi skenarin e Armand Shkullakut, nuk ishte thjesht një homazh në dhjetë vjetorin e vdekjes së Gramoz Pashkos, por një moment reflektimi për të kuptuar rrjedhën e historisë së Shqipërisë post-komuniste, do t’i drejtohej regjisori të ftuarve, të afërmve, miqve, politikanëve të majtë e të djathtë dhe përfaqësuesve të medias.

Mbi rrëfimet e bashkëshortes Mimozës, Genc Rulit, Preç Zogaj, Spartak Ngjelës dhe shokut të fëmijërisë Bashkim Shehu ishte ndërtuar portreti i intelektualit dhe politikanit Gramoz Pashko.

Një rrëfim për jetën e tij personale, njohja dhe më pas martesa me Mimozën, motrën e Genc Rulit, mbrojtja që i bëri Ismail Kadaresë pas largimit të tij nga Shqipëria, përfshirja në lëvizjen studentore të fillim viteve ’90, hyrja në politikë, përplasjet me Sali Berishën dhe aksidenti fatal, ku humbi jetën ai dhe i biri Rubensi.

Tv Klan