Deri në përfundim të hetimeve, Denis Shtaza, i akuzuar se ka marrë pjesë në rrëmbimin dhe më pas vrasjen  e Gazmend Çollakut, Janarin e këtij viti në Durrës, do të qëndrojë në burg.

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka refuzuar lirimin e tij këtë të mërkurë. Togat e zeza kanë argumentuar se kushtet nuk kanë ndryshuar për 33 – vjeçarin dhe për këtë arsye, ai do të vazhdojë të qëndrojë në qeli.

Avokati i tij mbrojtës ka sqaruar në sallën e gjyqit se klienti i tij mbahet pas hekurave pa asnjë provë. Sipas tij, edhe njolla e gjakut, gjetur në makinën më të cilën dyshohet se u rrëmbye viktima Çollaku, nuk është e Shtazës.

Pretendimet e avokatit janë kundërshtuar nga Prokuroria, e cila këmbëngul se 33 – vjeçari nga Durrësi ka dijeni për krimin e ndodhur këtë fillim viti.

Hetuesit kanë sjellë disa prova që faktojnë implikim e tij.

Pas dëgjimit të palëve, Gjykata vendosi të lërë në burg Denis Shtrazën. Për këtë vrasje vazhdon të jetë në kërkim ish – oficeri i policisë, Ervin Dalipaj.

Mbrëmjen e 6 Janarit, në qendër të Durrësit u rrëmbye nga disa persona Gazmend Çollaku. Ai u gjet të nesërmen i pajetë në fshatin Murqin të Krujës, i lidhur dhe i qëlluar nga disa plumba në kokë.

Tv Klan