Fullani del nga burguGjykata e Apelit liroi nga burgu Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullanin.

Trupa gjyqësore, e kryesuar nga relatori Alaudin Malaj dhe anëtarët Agim Bendo dhe Shkëlqim Miri rrëzoi masën e sigurisë arrest me burg të dhënë në mungesë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë dhe kërkesën e prokurorisë për ta mbajtur atë në burg.

Apeli, pasi dëgjoi palët, vendosi që Guvernatori Fullani të lerë qelinë dhe të qëndrojë në arrest shtëpie, deri në përfundim të hetimeve.

Por avokati mbrojtës, tha se nuk duhet të kishte fare masë sigurimi personal, pasi arrestimi ka qenë i paligjshëm.

Maksim Haxhia – Avokat:“Vendimi i sotëm ishte një vendim që pavarësisht se ishte në favor të kërkimeve tona, nuk ishte në stadin e atyre kërkimeve, pasi ne kërkuam të mos kishte fare masë arresti dhe as masë sigurimi personal. Megjithatë gjykata vendosi prishjen e vendimit të datës 5 shtator, duke vendosur masën e “arrest shtëpie” si masë sigurimi personal. Do bëjmë dhe rekurs”.

Haxhia sqaroi dhe deklaratën e bërë në lidhje me Këshillin Mbikqyrës të Bankës, ku deklaroi se nuk ka folur asnjëherë për përgjegjësi penale të anëtarëve.

Maksim Haxhia – Avokat: “Nuk kam thënë përgjegjësia penale është e Këshillit Mbikqyrës. Këshilli nuk ka përgjegjësi penale por kam thënë që Ardian Fullani nëse do të klasifikohet për ndonjë përgjegjësi administrative apo penale nuk mund të ndahet nga përgjegjesia e Këshillit. Është organ kolegjial dhe ashtu si funksionon për një anëtar funksionon dhe për anëtarët e tjerë. Nuk kam folur asnjëherë për përgjegjësi penale të Këshillit”.

Në përfundim të deklaratës së tij, avokati Haxhia tha se asnjë nga deponimet e anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës në Prokurori nuk përbënte ndonjë provë në dëm të Fullanit.

Gjatë seancës së zhvilluar pa praninë e kamerave, Guvernatori Fullani deklaroi se ishte udhëhequr gjithmonë nga ligji dhe ndershmëria si Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Ai theksoi se vjedhja e ndodhur në departamentin e Emisionit të Parave është e shkëputur nga mënyra se si ka funksionuar Banka e Shqipërisë.

Guvernatori vuri në dukje edhe faktin se vjedhjen e denoncoi vetë Banka, e cila ka bashkëpunuar ngushtë me prokurorinë, duke i vënë në dispozicion të gjitha praktikat e kërkuara.

Ai nënvizoi se procedurat e ndjekura për sigurinë e bankës janë të standardeve më të larta europiane dhe se departamenti ku ndodhi vjedhja, funksionon në bazë të ligjit.

Tv Klan