Gjykata e Krimeve të Rënda i ka komunikuar në spitalin e burgut masën e sigurisë arrest me burg Ardjan Çapjes, një prej të ndaluarve për kundërvënien me armë të policisë në Elbasan .  48-vjeçari ka shfaqur probleme shëndetësore me zemrën dhe që prej të enjtes ndodhet në spital.

Të shtunën Gjykata për Krimet e Rënda caktoi masën “arrest me burg” për Florenc Çapjen dhe Bledar Muçën, ndërsa për Ambri Sinakollin, Fiqeret Meçen, Kastriot Peqinin, Serxho Hakiljan e Jetmir Shehun u caktua masa e sigurisë “arrest me burg” me afat 1 muaj.

Në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur edhe dinamikën e ngjarjes ku anëtarë të fisit Çapja hapën zjarr ndaj forcave të rendit.

Kështu pak para se të qëllohej me armë automjeti ku ndodheshin dy  punonjës të forcave operacionale, kanë qenë në lëvizje në rrugën “ Emin Matraxhiu” .

Mjeti që ata duhej t’a mbanin në vëzhgim i ka shoqëruar nga pas për një kohë të shkurtër dhe më pas ua ka bërë me shenjë me drita që të ndalonin.

Pas këtij sinjalizimi nga dera e pasme e tij, ka dalë një person i cili ka qëlluar me pistoletë xhamin e pasëm të makinës së policisë. Më pas ka vazhduar shkëmbimi i zjarrit ku pas ndërhyrjes së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është bërë i mundur arrestimi i  Ardian Çapjes, Florenc Çapjes dhe Bledar Muçës.

TV Klan