stresiTre punonjës të policisë u arrestuan pas arratisjes nga Komisariati Numër 3 i Arkimed Lushajt, këngëtarit të njohur me emrin “Stresi”, ndërsa 9 të tjerë janë pezulluar nga detyra.

Saimir Cinga, 39 vjeç, Ndihmës Specialist për Linjat Interurbane në Njësinë e Qarkullimit Rrugor; Bashkim Dybeli, 48 vjeç, trupë shërbimi në Komisariatin Rajonal të Qarkullimit Rrugor: dhe Mark Gjonpalaj, 46 vjeç, oficer i Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit Rajonal të Policisë së Qarkullimit Rrugor Tiranë, akuzohen se duke shkelur detyrën kanë sjellë arratisjen e Lushajt.

Tre punonjësve të policisë u është komunikuar masa e arrestit në flagrancë nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme. Policia, nga ana tjetër, ka vijuar kërkimet për kapjen e Arkimed Lushës dhe ka ushtruar kontrolle në disa banesa të ndryshme, ku dyshohej se mund të strehohej. Por deri tani, kërkimet nuk kanë dhënë rezultat.

Arkimed Lusha u ndalua për shkak se refuzoi t’i jepte dokumentet e makinës një postblloku të policisë dhe nuk pranoi të bënte testin e alkoolit. Ai rezultoi se ishte në gjendje të dehur dhe se nuk kishte patentë. Për këtë arsye policia i komunikoi arrestin në flagrancë.

Por gjatë kohës së shoqërimit nga dhoma e izolimit për në zyren e oficerit të gatshëm, ku do të firmoste procesverbalin e arrestit, ai shtyu policin që e shoqëronte dhe u hodh nga një dritare e korridorit të katit të dytë. Në oborrin e komisariatit ai u ndoq nga një efektiv i policisë, por i humbi gjurmët në rrugën “Mine Peza”. Policia e ka shpallur ndërkohë në kërkim, duke i shtuar dosjes së tij edhe arratisjen.

Tv Klan