policiia

Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg 4 të arrestuarit e tjerë të dyshuar si autorë të shpërthimit me tritol në farmacinë e babait të Ministrit të Brendshëm dhe eksplozivin e gjetur të pashpërthyer në stacionin e Unazës.

Gjatë seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura dhe nën masa të rrepta sigurie, u është komunikuar masa e ‘arrestit me burg’ e dhënë pak ditë më parë nga gjykata, për të arrestuarit, Lumjan (Emiljano) Matmuja, 27 – vjeç, Ernest Gjuta, 24 – vjeç, Kamber Bruka, 31 – vjeç dhe Erjon Dule, 33 – vjeç.

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që për arsye hetimi, nuk duhet të nxirren informacione rreth kësaj çështje. Megjithatë nga burime brenda mbledhjes, Televizioni Klan mësoi se të arrestuarit nuk e kanë pranuar akuzën. Nëpërmjet avokatëve të tyre ata thanë se nuk ka prova që t’i lidhë ata me ngjarjet për të cilat akuzohen.

Një ditë më parë me këtë masë sigurie u njoh edhe Emirjon Gjuta. Ai u arrestua pasi telefoni i përdorur për të aktivizuar mekanizmin shpërthyes në tritolin e vënë në farmacinë e Bashkim Tahirit, rezultonte në emër të tij.

Kreu i këtij grupi dyshohet se është shtetasi Vladimir Gjuta, i shpallur në kërkim. Në kërkim është gjithashtu edhe shtetasi Baftajr Bruka. Burime nga grupi i hetimit thanë gjithashtu se i akuzuar për vendosjen e tritolit në pjesën e jashtme të farmacisë së Bashkim Tahirit është 27 – vjeçari Emiljano Matmuja.

Për të arritur në këtë përfundim është analizuar në detaje vidoeja e kamerës së sigurisë ku është parë me hollësi gjatësia, përmasat fizike si dhe kryerja e veprimeve të tij me dorën e majtë.

Tv Klan