David Myrte i arrestuar si autor i vrasjes së Zarif Alliut, mbrëmjen e së shtunës në fshatin Braçanj të Devollit ka hedhur poshtë akuzat. Në seancën, ku gjykata vlerësoi masën e sigurisë ndaj tij, 25 – vjeçari tha se ditën e ngjarjes kishte qenë bashkë me të vëllain në lokalin e fshatit, version që u mbështet edhe nga ky i fundit.

“Vëllai ka qenë me mua në lokal, kur ka ndodhur ngjarja. Erdhi ambulanca shkuam të shikonim, por se arritëm dhe u kthyem”.

Edhe avokati i 25 – vjeçarit tha se nuk provohet prania e David Myrtes në vendngjarje.

“Policia është në pistë të gabuar, pasi nuk janë marrë provat në mënyrë të saktë dhe se ka dëshmitarë që provojnë se i arrestuari nuk ka qenë në vendin e ngjarjes dhe se po mbahet në burg një person për të cilin nuk ka prova”.

Megjithë pretendimet e të akuzuarit gjykata e la atë në burg bashkë me Mendar Burnazin, i cili ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes. Ky i fundit ka dëshmuar se sulmi ndaj Zarif Allës kishte si motiv një borxh prej 12 mije eurosh që viktima i kishte një personi tjetër me emrin “Dajo”.

Tv Klan