Departamenti i krimeve të rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh, deputetit Milaim Zeka.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, avokati i deputetit Zeka, Gazmend Halilaj, i cili ka theksuar se Gjykata Themelore në Prishtinë nuk e ka aprovuar kërkesën e prokurorit të Prokurorisë speciale, që deputetit Zeka t’i caktohet masa e paraburgimit.

“Të njëjtit i është shqiptuar masa alternative, masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh. Ne si mbrojtje kemi paralajmëruar ankesën edhe ndaj kësaj mase, për shkak se konsiderojmë që nuk ekziston baza ligjore e arsyeshme që t’i caktohet kjo masë. Ne kërkojmë që i njëjti të lirohet në tërësi”, tha Halilaj.

Sipas tij, ankesa nga pala mbrojtëse duhet të bëhet në afat prej 24 orëve.

Deputeti Zeka, gjatë ditës së hënë, ishte intervistuar nga Policia e Kosovës lidhur me “veprën penale që ndërlidhet me mashtrim dhe shmangie nga tatimi”.

Avokati Halilaj ka theksuar se në rast se ankesa hidhet poshtë, atëherë deputeti Zeka, me leje të posaçme nga Gjykata Themelore në Prishtinë, do të mund të marrë pjesë në seancat e Kuvendit të Kosovës./REL