Policia e Kosovës tha se ka arrestuar pesë serbë dhe gjashtë rusë, për kalim të paautorizuar të kufirit shtetëror.

Policia tha se kishte marrë informacione paraprake se në një lagje të fshatit Metergofc të komunës së Podujevës, rreth 45 kilometra në veri të Prishtinës, pritet të hyjnë në Kosovë në rrugë të paligjshme disa shtetas serbë dhe rusë.

Pasditen e së martës ajo kishte ndaluar njëmbëdhjetë persona që po udhëtonin me dy makina me targa të Serbisë, “nën dyshimin e bazuar për kalim të paautorizuar të kufirit shtetëror”.

Të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Autoritetet thanë se e kanë njoftuar zyrën ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë.

Ndërkohë zëdhënësi i ambasadës ruse në Beograd, Yuri Pichugin, citohet t’i ketë thënë agjencisë ruse të lajmeve TASS të mekurën se një përfaqësues i zyrës ruse në Prishtinë “është duke e trajtuar këtë çështje, që prej se qytetarët rusë janë ndaluar. Ai menjëherë është nisur në vendin e ngjarjes. Gjithsej, gjashtë rusë janë ndaluar, dy prej tyre janë banorë lokalë, anëtarë të familjes së një qytetari serb”, ka thënë ai.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 dhe ajo është njohur nga mbi 110 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian., ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia./VOA