Shefqet Krasniqi

Policia e Kosovës vuri në pranga në orët e para të mëngjesin Imamin e Xhamisë së Prishtinës, gjatë një operacioni anti-terrorizëm, ku në total u arrestuan 15 persona.

Shefqet Krasniqi është mes klerikëve të tjerë myslimanë kosovarë, të cilët u arrestuan gjatë këtij operacioni.

Në listën e të arrestuarve bien në sy emrat e Enis Ramës – Imam në Xhaminë kryesore të Mitrovicës, Ekrem Avdiut -anëtarë i Këshillit të Bashkësisë Islame të Mitrovicës si dhe Imam në një prej xhamive të qytetit apo Enes Gogos – Imam i Xhamisë së Pejës.

Në mesin e të arrestuarve është edhe një i dyshuar nga Kaçaniku që dyshohet se ka lidhje me Lavdrim Muhaxherin.

12 nga të arrestuarit janë Imamë.

Nën arrest u vu edhe kreu i Partisë Lëvizja Islamike Bashkohu Fuad Ramiqi.

Mediat kosovare bëjnë me dije se arrestimi ka të bëjë me hetimet për pjesëmarrjen e tyre në aktivitete që kanë të bëjnë me terrorizmin.

Ndaj tyre rëndojnë akuza për nxitje të urrejtjes ndërfetare dhe ekstremizëm islamik.

Shefqet Krasniqi dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se janë të përfshirë në aktivitetet e rekrutimit dhe dërgimit të shtetasve nga Kosova drejt Sirisë, për të luftuar në krah të xhihadistëve të Shtetit Islamik, që vepron edhe në Irak.

Policia e Kosovës zhvilloi kontrolle në 16 vende të ndryshme ku u kryen arrestimet, në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Prizren, Gjilan dhe Ferizaj.

Në cilësinë e provave materiale janë konfiskuar materiale inkriminuese, përfshirë disa pajisje elektronike.

Drejtuesit e policisë kosovare, përmes një komunikate zyrtare shprehën shqetësimin për rrezikun që i kanoset qytetarëve të vendit, nga individë që i janë bashkangjitur dhe që vazhdojnë të bëhen pjesë e organizatave terroriste që veprojnë në Siri e Irak.

Në deklaratë, flitet edhe për masat e marra nga policia për parandalimin e aktiviteteve të organizatave kriminale e terroristesi dhe të gjithë atyre që në çfarëdo forme përkrahin, financojnë, rekrutojnë apo nxisin urrejtje kombëtare, racore apo fetare.

Një muaj më parë, policia e Kosovës arrestoi 40 persona, pas dyshimeve për përfshirjen e tyre në aktivitetin e Shtetit Islamik.

Vetë Krasniqi u shoqërua pak ditë më parë në polici për të dhënë sqarime mbi dyshimet për përfshirjen e tij në këtë çështje.

Tv Klan