Një çift bashkëshortësh u arrestuan nga Policia e Tiranës, për akuzën e mashtrimit me fajde, pasi iu kishin marrë një grupi personash një shumë prej 430 mijë Eurosh.

Alfred Alku dhe Ornela Alku, u arrestuan pas denoncimeve të disa personave të cilët iu kishin dhënë hua shuma të ndryshme çiftit. Këta të fundit sipas burimeve të policisë i kishin marrë paratë borxh me qëllim për të fituar nga këmbimi në agjencitë valutor në kryeqytet.

Ende nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur me paratë ndërsa policia dyshon se çifti i ka shpërdoruar. Menjëherë pas kallëzimit ndaj tyre, policia ndaloi çiftin ndërsa ndaj tyre është ngritur akuza e e mashtrimit me shuma të mëdha në bashkëpunim.

Në banesën e tyre u gjetën edhe një sasi të vogël parash që u sekuestruan nga policia.