Dy persona të dyshuar janë ndaluar nga policia në lidhje me grabitjen e Prokurorisë së Durrësit. Ata janë Artur Isa 49 vjeç dhe Besnik Bushi 54 vjeç, të dy me precedent të mëparshëm penal.

Uniformat blu kanë ndaluar edhe një person të tretë. Ai është roja privat i institucionit të Prokurorisë, Nias Lena 56 vjeç. Policia e Durrësit thotë se dy të dyshuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se janë autorë të vjedhjes së zyrave të Prokurorisë Durrës. Ata dyshohet kanë hyrë në zyrat e prokurorisë dhe kanë vjedhur, dëmtuar dokumentet dhe kanë ndërhyrë në sistemin kompjuterik.

Policia ka referuar materialet për ndërhyrje në sistemet kompjuterike dhe zhdukje ose humbje e fashikullit për Artur Isain dhe Besnik Bushin, si dhe shpërdorim detyre për rojen private.

Prokuroria e Durrësit u grabit një ditë më parë, ku u vodhën dokumente në zyrën e një prokurori, si dhe u morën pajisje elektronike në dhomën e serverit të kamerave të sigurisë.

Grabitja u zbulua nga pastruesja, e cila më pas ngriti alarmin dhe njoftoi autoritetet. Kjo është hera e dytë që Prokuroria e Durrësit vidhet brenda dy javësh, kur fillimisht u vodh posta sekrete e këtij institucioni.

/tvklan.al