Ditën e djeshme, si rezultat i një pune hetimore disa ditore, Policia e Vlorës ka bërë të mundur zhvillimin e operacionit antidrogë të koduar “BEDROOM” mbi bazën e të cilit është bërë gjetja dhe sekuestrimi i një sasie me lëndë narkotike në banesën e Bledar Grabovajt, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 20-vjeçarit, në lagjen “1 Maji”, Policia ka gjetur një sasi me lëndë narkotike me peshë totale prej 37 kilogramë e dyshuar si Cannabis Sattiva.

Lënda narkotike u gjet e fshehur në dhomën e fjetjes së banesës në fjalë, e ndarë nëpër thasë sintetikë dhe të mbështjella me qese plastike, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nga hetimet e kryera, Policia ka konstatuar se në këtë ngjarje dyshohet se është i përfshirë një person me inicialet N.G, 50 vjeç, banues në Vlorë, i cili u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”./tvklan.al