ballist morina

Ismail Morina, personi që të gjithë e njohin si autori i dronit në stadiumin e Partizanit të Beogradit, në ndeshjen Serbi – Shqipëri është arrestuar, mbrëmjen e djeshme nga policia e kryeqytetit bashkë me 3 persona të tjerë, pasi u kap me armë pa leje.

Morina drejtonte një mjet tip Land Rover, në pronësi të vëllait të tij. Pas kontrollit të bërë nga policia, atij iu gjet një pistoletë tip Zastava me 6 fishekë, që mbante në brez dhe një tjëtër pistoletë tip TT me 30 fishekë, që ndodhej në brendësi të makinës së tij.

Gjithashtu policia gjeti edhe 36 bileta të personalizuara për ndeshjen Shqipëri – Serbi. Ndalimi i tij u bë nga uniformat blu të Komisariatit Nr.1 në kryeqytet, në rrugën “Perto Nini Luarasi”, pranë Shkollës së Baletit.

Paraprakisht, Ismail Morina u ka thënë efektivëve të policisë se, pas ndeshjes së Beogradit, ai nuk ndihej më i sigurtë dhe se armën e mbante për vetëmbrojtje.

Gjithsesi pritet që Morina të akuzohet për armëmbajtje pa leje, ndërsa 3 personat e tjerë, Erion Bahushi, 22 – vjeç, Denis Balla, 21 dhe Marin Rexha, 20 – vjeç, akuzohen për moskallëzim krimi.

Në lidhje me 36 biletat për në ndeshjen Shqipëri – Serbi, sektori i Policisë për Krimin Ekonomik ka verifikuar se nuk ishin të falsifikuara, por u përkisnin disa miqve të Morinës që jetonin në Itali. Disa prej tyre u paraqitën në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku kërkuan të merrnin biletat e sekuestruara.

Pak ditë më parë edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku dhe Presidenti i Federatës, Armand Duka deklaruan se Ismail Morina nuk do të lejohej të ishte i pranishëm në stadium.

Ndërsa vetë Morina publikoi një video në rrjetet sociale ku tregonte biletën që mbante emrin e tij dhe deklaroi se kishte rezervuar një surprizë për Kryeministrin serb Aleksandar Vučić nëse do të ishte i pranishëm në stadium. Ai do t’i dhuronte një palë syze.

Kjo video mund të jetë bërë shkak që policia ta mbajë nën vëzhgim Ismail Morinën, në kuadër të masave për mbarëvajtjen e takimit Shqipëri – Serbi, që do të luhet të enjten në “Elbasan Arena”.

Pas arrestimit të Ismail Morinës në Policinë e Tiranës kanë mbërritur disa kërcënime, nën emrat e grupeve të quajtura, Njesitë Guerrile apo Brigadat e Kuqe, të cilët kërkojnë lirimin e tij, duke paralajmëruar se në të kundërt do të ketë trazira.

Tv Klan