Një doganier i doganës së Vermoshit  u vu në pranga pasi dyshohet se po shpërndante para në këmbim të votave për një subjekt politik. Izmir Bushaj 26 vjeç, u arrestua në flagrancë në fshatin Kullaj.

Gjatë kontrollit të automjetit të tij, policia sekuestroi një sasi prej 96 mijë lekësh të reja në prerje 20 mijë lekëshe, zarfa dhe një listë me emra.

Bashkë me 26-vjecarin u ndalua edhe kushëriri i tij, Xhyher Bushaj. Policia nuk jep informacion për cilin subjekt politik po përpiqej të blinte votat Bushaj.

Edhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar është kallëzuar në prokurori për shitblerje votash në qytetin e Cërrikut dhe zonat përreth.

Sipas materilait të referuar ne organin e akuzës, ai së bashku me një biznesmen me iniciale Sh.B kanë ngritur një skemë për t’u ofruar para qytetarëve në këmbim të votës. Në referimin e mbërritur në prokurori thuhet se votuesit pasi paguheshin nga biznesmeni, lista bashkë me karta e identitetit i shkonte drejtorit. 

Një rast tjetër i shitblerjes së votës është denoncuar në Vlorë. Policia lokale pohon se ka nisur procedimi për tre persona sepse kanë kryer veprime me shtetas të ndryshëm, për blerjen e votave për subjekte partiake që garojnë në zgjedhjet parlamentare të së dielës.

Edhe për këtë rast policia nuk dha detaje se për cilin subjekt politik po tentonin tre të proceduarit që të blinin votat.

Një tjetër rast po hetohet në Vorë. Policia tha se pas një denoncimi të bërë në disa media, po kërkohet shtetasi Azem V., për të cilin thuhet se u kap nga disa banorë në përpjekje për të shpërndarë para në këmbim të votës për një subjekt politik.

Me ndryshimet e fundit të Kodit Penal, shitblerja e votës dënohet deri në 7 vjet heqje lirie. Sipas ministrit të Brendshëm Dritan Demiraj, për shitblerje të votës deri tani janë arrestuar 25 persona dhe ka pasur 250 denoncime. TV KLAN