drejtoresha dhe i biriMe akuzën për korrupsion aktiv, është arrestuar Drejtoresha e Arsimit në Lushnje Liza Tabaku, djali i saj Xhanlukas Tabaku dhe Rigert Zenelaj, mësues fiskulture në Komunën Allkaj.

Operacioni u zhvillua nga krimi ekonomik në bashkëpunim me policinë e Lushnjes. Sipas prokurorisë së Lushnjes Tabaku dhe i biri bashkëpunonin me mësuesin e fiskulturës për të përfituar para për emërimin e mësuesve të ndryshëm në shkollat e zonës ku kishte kompetencë.

Po ashtu, ajo merrte para edhe për të mos larguar mësues nga puna. Nga hetimi rezultoi se për çdo emërim apo moslargim nga detyra, drejtoresha e arsimit  merrte shuma nga 3000-5000 euro.

Nga kontrolli në shtëpinë e saj u gjetën disa zarfe rreth 12 mijë euro dhe 800 mijë lekë të vjetra, të cilat janë konfiskuar në cilësinë e provës materiale.

Në momentin që është ndaluar nga efektivët ka pasur me vete 2 mijë euro që ka tentuar t’i hedhë në tualetin e komisariatit të policisë së Lushnjes.

Ndaj të akuzuarve është ngritur akuza e korupsionit aktiv. Liza Tabaku u vendos në krye të drejtorisë arsimore të Lushnjes një vit më parë.

Tv Klan