Ish-drejtori i përgjithshëm i burgjeve Artur Zoto është arrestuar pasditen e kësaj të marte. Ai është vënë në pranga për akuzën e korrupsionit pasi Prokuroria për Krimet e Rënda dyshon se ka abuzuar me tenderat për ushqimet në burgje. Në korrik të 2016-ës u arrestua për të njëjtën çështje edhe Iljaz Labi, zëvendës i Zotos. Burime nga prokuroria i thanë Tv Klan se gjatë marrjes në pyetje zv.drejtori tha se për kryerjen e tenderit e kishte urdhëruar shefi i tij.

“Më thirri Drejtori i Përgjithshëm në zyrë një ditë dhe më tha se po hapej një procedurë tenderimi për ushqimet. Më tha që kemi këtë procedurën që do e bëjmë me negocim. Kam biseduar me operatorët dhe do të merresh ti më këtë punë.

Drejtori, Artur Zoto më tha që të takoja shtetasin Ylber Kalaja, me të cilin unë kisha pak njohje, për të biseduar në lidhje me këtë çështje, duke më thënë se e dinte Ylberi sesi do të vepronte. Kam kontaktuar me shtetasin Ylber Kalaja dhe kam biseduar me të në lidhje me proçedurën që do të kryhej”.

Aktualisht për Labin ka filluar gjyqi për akuzën e korrupsion. Për këtë çështje u arrestuan edhe 4 biznesmenë të cilët bashkëpunonin me njeri-tjetrin për të paracaktuar fituesin në tender. Sipas hetimeve ata kishin paguar rreth 20 milion lekë të vjetra tek numri 2 i burgjeve. Por nga hetimi prokurorët faktuan edhe përfshirjen e drejtorit Zoto i cili u prangos nga policia e shtetit me urdhër të prokurorisë dhe pasi gjykata vendosi masën e arrestit me burg.

 

///

Më 15 Korrik të vitit të kaluar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se Drejtori i Përgjithshëm z. Artur Zoto i ka dërguar Ministrit të Drejtësisë z. Ylli Manjani kërkesën për dorëheqje nga detyra.

Largimin e tij nga detyra Zoto e ka argumentuar për shkak të arsyeve personale dhe familjare.

Në letrën e tij, drejtuar ministrit të atëhershëm të drejtësisë, Zoto shkruante:

“I Nderuar Zoti Ministër

Me Urdhrin e Kryeministrit të Shqipërisë Nr. 149 datë 03.10.2013 jam emëruar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Duke marrë në konsideratë situatën e sistemit të  burgjeve shqiptare dhe rëndësinë si institucion i veçantë i sigurisë kombëtare, u angazhova maksimalisht për kryerjen me përgjegjshmëri të lartë të detyrave funksionale në zbatim të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Gjatë periudhës që kam ushtruar detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve janë ndërmarrë një sërë reformash dhe iniciativa të rëndësishme, të cilat kanë synuar zbatimin e ligjshmërisë në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, si dhe transformimin e sistemit të burgjeve në një mundësi rehabilitimi për personat me liri të kufizuar. Prioritet i është dhënë forcimit të masave antikorrupsion, kur për herë të parë përgjatë viteve 2013-2016 u vunë në zbatim masa specifike për parandalimin e korrupsionit në sistemin e burgjeve, kontrollin dhe monitorimin e praktikave të dhënies së lejeve shpërblyese dhe të veçanta për personat me liri të kufizuar, si dhe forcimin e mekanizmit të kërkesë ankesës në bashkëpunim të ngushtë edhe me aktorë të jashtëm.

Gjithashtu, gjatë viteve që kam ushtruar këtë funksion publik, jam përkushtuar për ndryshimin e filozofisë së menaxhimit të sistemit të burgjeve, nëpërmjet vënies në funksion të metodologjive bashkëkohore për administrimin e sigurisë në institucionet penitenciare, regjimin ditor të personave me liri të kufizuar, vlerësimin e performancës individuale të stafit si dhe të institucioneve, duke vendosur baza të rëndësishme për organizimin dhe funksionimin në nivel qendror dhe lokal.

Duke e konsideruar të pamundur ushtrimin e kësaj detyre në vijim, për shkak të arsyeve personale dhe familjare, ju paraqes dorëheqjen time nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.”

Tv Klan