Kishte qëlluar me armë pranë shtëpisë së ish të dashurës së tij dhe tashmë është arrestuar nga policia. Ai është një 25-vjeçar shqiptar, i përfshirë edhe në trafikun e drogës. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 12 shtatorit në lagjen “Exarchia” të Athinës në Greqi.

Sipas mediave greke, shqiptari kishte shtënë disa herë me armë në ajër dhe më pas u largua. Në ndjekje të tij u vunë patrullat e policisë. Për t’i shpëtuar arrestimit, 25-vjeçari kishte përplasur me makinë edhe një automjet të policisë.

Megjithatë autoritetet greke kishin marrë targat e automjetit dhe e kishin identifikuar shqiptarin. Ai u arrestua mbrëmjen e së dielës së bashku me një vajzë greke 18-vjeçare. Brenda automjetit të tij u gjet rreth 1 kg hashash. Sipas hetimeve, rezulton se 25-vjeçari është pjesë e një rrjeti droge të përbërë nga shqiptarë që vepron në kryeqytetin grek, pikërisht në lagjen “Exarchia”.

Kjo lagje është kthyer në shqetësim për autoritetet lokale, për shkak se qarkullon sasi e konsiderueshme kanabisi. Dhe protagonistë janë qarqet shqiptare që drejtojnë trafikun e drogës. Këto grupe të lëndëve narkotike, mediat greke i kanë “pagëzuar” me emrin mafia shqiptare. Përveç aktivitetit të drogës, në këtë lagje jo pak herë ndodhin edhe përplasje me armë apo sulme ndaj policisë nga bandat shqiptare.

/tvklan.al