Mjeku Redjan Rraja, që gjendej në tavolinë me Elton Çiçën, kur 36 – vjeçari nga Tepelena u qëllua me tre plumba mbrëmjen e të dielës, është arrestuar.

Policia e akuzon 31 – vjeçarin nga Kruja për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Burime të policisë thonë se ai ka fshehur disa sende, që viktima i kishte në çantën që mbante me vete.

Këto veprime të Rrajës janë zbuluar nga vëzhgimi i pamjeve të kamerave të sigurisë se lokalit. Kur klientët e lokalit janë larguar nga frika e të shtënave, ai ka marrë çantën e viktimës.

Dyshohet se Elton Çiça mund të ketë patur me vete sende të paligjshme, përshirë një armë. Hetimet pritet të hedhin dritë mbi këto dyshime.

Bashkë me mjekun, policia shoqëroi 28 persona të tjerë, por ata u lanë të lirë.

Hetuesit kanë sekuestruar edhe pamjet filmike të disa bizneseve të tjera pranë lokalit ku ndodhi krimi. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në to shihet që vrasësi mbërrin me një makinë tip Ford dhe zbret nga pjesa e pasme e tij pranë lokalit, për t’iu drejtuar shenjestrës menjëherë.

Pasi kryen krimin, ai largohet në këmbë, në fillim drejt shkollës “11 Janari”. Më pas ndryshon drejtim dhe humbet gjurmët në bllokun e pallateve pranë Urgjencës së Tiranës.

Policia ka dyshime se ekzekutori është një vrasës me pagesë.

Tv Klan