Policia e Shtetit Shqiptar dhe Prokuroria mohojnë arrestimin e shtetasit rus Boris Wolfman. Policia e konsideron si të pavertetë pretendimin e mediave italiane për arrestimin e 32 – vjeçarit.

Nga ana tjetër, burime nga Prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se ndaj shtetasit rus nuk është nxjerrë asnjë urdhër arresti, por po hetohet për veprën penale, “pastrim të produkteve të veprës penale ose aktiviteteve kriminale”.

Sekuestrimi i llogarive bankare, sipas Prokurorisë, të shtetasit tjetër rus Robert Shpolinske dhe hetimi ndaj Boris Wolfman janë bërë mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme se këta shtetas kanë tentuar të pastrojnë para në vendin tonë.

Shkrimi i RaiNews: (Kliko këtu)

“Arrestohet në Shqipëri një mjek rus: Drejtonte një klinikë të jashtëligjshme të transplantit të organeve”  

Boris Wolfman, një mjek rus i dyshuar se drejtonte një klinikë të jashtëligjshme me vendndodhje në Kosovë, për trafikimin të organeve është arrestuar në Tiranë. Organet shiteshin në tregun e zi në të gjithë botën, nga Kosta Rika në Turqi. I ndaluari kishte dy kombësi, ruse dhe izraelite.

rai

Sipas RaiNews, “dhuruesit” mashtroheshin. Atyre u premtohej 15 mijë euro në këmbim të një veshke, por të shumtë janë shtetasit rus dhe nga vendet e tjera të ish – Bashkimit Sovietik që pas operacionit nuk morën asnjë qindrakë.

Klinika quhej Medicus dhe është mbyllur, ndërsa pronarët e saj janë dënuar me 8 dhe 7 vite burg. Wolfman kishte arritur të shpëtonte. Ai ishte ndaluar disa muaj më parë në Turqi, por ia kishte dalë që të lihej i lirë.

Sipas RaiNews, dyshohet se mjeku kishte kryer më shumë se 30 transplante të jashtëligjshme organesh.

25 ShtatorGjykata e Tiranës sekuestron llogaritë bankare të një shtetasi rus

Një shtetas rus i akuzuar për trafikim të organeve në Izrael, ka tentuar të pastrojë para në Shqipëri nëpërmjet një klinike të hapur në qendër të Tiranës, në vitin 2014 nga një tjetër shtetas rus.

Gjykata e Tiranës ka vendosur të pranojë kërkesën e Prokurorisë për sekustro preventive të llogarive bankare të klinikës “A New Life 4U” sh.p.k. me administrator dhe ortak shtetasin Robert Shpolinske.

Nga monitorimi i vazhdueshëm rezulton se në llogarinë e shoqërisë “A News Life 4U” sh.p.k. ka mbërritur një transfertë në vlerën e rreth 40 mijë dollarëve me përshkrimin “faturë 2001 shërbime mjekësore” nga shteti i Izraelit e më konkretisht nga shtetasi, Boris Igor Volfman.

Sipas Prokurorisë ky shtetas  rezulton i përfshirë në transplantimin ilegal të organeve. Nga verifikimet e bëra ky shtetas ka llogari bankare në një tjetër bankë “të nivelit të dytë në Tiranë, në emër të kompanive që ai zotëron, konkretisht shoqëritë “Justsavelife” dhe “A.V.S. Investment Group”.

Po kështu transaksione rezultojnë të jenë kryer edhe me shtetasin Renato Mezini, i cili rezulton se në muajin Janar 2010 është ndaluar nga autoritetet italiane në Pescara si pjesë e një bande që trafikonte lëndë narkotike.

Sipas Prokurorisë nisur nga të dhënat e siguruara, konkretisht përfshirja e shtetasit Robert Shpolinske në transaksione me shtetasit e tjerë e për të cilët ka të dhëna në përfshirjen e tyre në aktivitete të jashtëligjshme atëherë ka dyshime të bazuara në prova se pasuria e luajtshme në emër të shtetasit Robert Shpolinske janë rezultat i këtij aktiviteti kriminal.

Klinika ishte hapur që prej vitit 2014 në Bulevardin Dëshmoret e Kombit,  tek kullat binjake, në një apartament.

Me objektiv fushën e turizmit mjekësor, gjithë shërbimet administrative dhe shoqëruese për turizëm mjekësor me sferë kryesore të veprimtarisë transplantimin e organeve.

Dy shtetasit e huaj po hetohen nga Prokuroria për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose aktiviteteve kriminale.”/tvklan.al

https://www.youtube.com//embed/KPopZSKR0Eo