Një i ri shqiptar është arrestuar nga autoritetet në Maltë, pasi u kap me dokumente të falsifikuara identifikimi. 24 – vjeçari Vebi Zerja u ndalua në aeroportin ndërkombëtar të Maltës, teksa po përpiqej të merrte avion për në Britani.

Zyrtarë të emigracionit e ndaluan të riun nga Dibra pas dyshimeve se mjeti i identifikimit që kishte paraqitur nuk ishte origjinal.

Përveç kartës së identitetit, ai kishte me vete edhe një patentë dhe kartë shëndeti italiane, gjithashtu të falsifikuara.

24 – vjeçari Zerja kishte mbërritur në Maltë nga Shqipëria dhe destinacion përfundimtar kishte Londrën.

Avokati i tij mbrojtës, Noel Cutajar para gjykatës tha se 24 – vjeçari kërkonte që të largohej nga Shqipëria pasi ishte i frikësuar se jeta e tij ishte në rrezik dhe kishte marrë kërcënime me vdekje. Megjithatë, gjykata vendosi ta lerë në burg të riun./tvklan.al