Autoritetet turke arrestuan nipin e imamit Fetullah Gylen, armiku kryesor i presidentit Erdoan dhe i cilësuar nga ky i fundit si ideatori i tentativës për grusht shteti. Mediat vendase njoftojnë se nipi i Gylen akuzohet se ka lidhje me kryengritjen e 15 Korrikut. Pak ditë më parë, autoritetet turke i bënë kërkesë zyrtare SHBA-ve të arrestojnë dhe ekstradojnë imamin Gylen.

Më herët, presidenti turk Rexhep Taip Erdoan njoftoi zgjatjen e periudhës së paraburgimit për të dyshuarit si pjesëmarrës në tentativën për grusht shteti, deri në 30 ditë. Lajmi u bë i ditur përmes një deklarate zyrtare për shtyp, ku thuhet se qeveria turke ka urdhëruar gjithashtu mbylljen e mbi 1 mijë shkollave private dhe mbi 1.200 shoqatave.

Turqia shpalli pak ditë më parë gjendjen e jashtëzakonshme tre mujore. Erdoan tha se kjo masë do t’u lejojë autoriteteve të rivendosin rendin dhe të sheshojnë pasojat e grushtit të dështuar të shtetit në mënyrë efikase. Të paktën 60 mijë funksionarë shtetërorë janë arrestuar dhe pezulluar nga detyra në Turqi, një lëvizje kjo që është kritikuar fort nga ndërkombëtarët, veçanërisht nga Bashkimi Europian.

Tv Klan