Prokurori

Prokuroria e Krimeve të Rënda arrestoi një prokuror në Fier, për korrupsion pasiv. Petrit Vukaj është prangosur mëngjesin e të premtes, pasi gjykata kishte vendosur të enjten masën e sigurisë ‘arrest me burg’.

Nga hetimi rezulton se Vukaj ka marrë përsipër zbutjen e dënimit për një të pandehur si shkaktar i një aksidenti me vdekje.

Bëhet fjalë për rastin e Elton Xhemalit, i cili më 31 Mars të këtij viti u arrestua, pasi duke drejtuar mjetin e tij në rrugën Levan – Tepelenë, shkaktoi një aksident që i mori jetën Shefit të Rendit në Policinë e Delvinës, Përparim Bizhgës, i cili ishte pasagjer i tij.

Prokuroria thotë se në bazë të hetimeve ka konstatuar se Elton Xhemali, nëpërmjet vëllait të tij, Arjan Xhemali dhe oficerit të Policisë së Shtetit, Gazmir Nelollari, ka tentuar të shmangë dënimin me burg dhe për këtë arsye vëllai i tij dhe oficeri i policisë kanë kontaktuar prokurorin Vukaj, i cili ka marrë përsipër zbutjen e dënimit në këmbim të parave. Shuma që Prokuroria thotë se ka marrë prokurori Vukaj, është 300 mijë lekë të reja.

Pas kësaj ndërhyrje korruptive, prokurori Vukaj, në seancën e datës 7 Tetor të këtij viti në gjykatën e Fierit, kërkon dënimin me 2 vjet burgim për të pandehurin Elton Xhemali dhe pezullimin e dënimit e kalimin e tij në shërbim prove.

Kërkesa e prokurorit është pranuar pjesërisht nga ana e gjykatës, e cila vendos dënimin me 18 muaj burgim, por duke mos pranuar kërkesën e prokurorit për pezullimin e dënimit.

Ky vendim i gjykatës rezulton se nuk ka kënaqur aspak të pandehurin Elton Xhemali, të cilit, i vëllai Arjan Xhemali dhe polici Gazmir Nelollari, i kishin dhënë garanci se kishin ndërhyrë në Prokurori dhe ai do të dilte nga paraburgimi.

I pandehuri i kërkon vëllait dhe oficerit të policisë që t’ia marrin paratë prokurorit, por ata i kanë bërë të ditur se prokurori e ka bërë punën e tij, pasi ka kërkuar pezullimin e dënimit.

Prokuroria sqaroi se më 7 Nëntor janë arrestuar edhe Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari, për veprën penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit”, akuzë kjo që i shtohet edhe Arjan Xhemalit.

Tv Klan