Autoambulanca, ajo që supozohet të të vij në ndihmë për jetën mund edhe të t’a marri atë. Një rast i paprecedent ka ndodhur në kryeqytet. Policia ka arrestuar 47-vjeçarin Islam Alla, i cili drejtonte autoambulancën e një materniteti në Tiranë në gjendje të dehur.

Aq i dehur ka qenë drejtuesi sa ka shkaktuar dhe aksident në zonën e “Kodrës së Diellit”. Sipas policisë së kryeqytetit Alla ka përplasur tre automjete, ku si pasojë e përplasjes ka patur vetëm dëme materiale dhe jo dëme në njerëz.

Policia Rrugore i ka bërë drejtuesit të autoambulancës testin e alkoolit me aparat Dragger, ku ka rezultuar se drejtonte mjetin nën ndikimin e alkoolit në masën 1.00mg/l.

Gjithashtu, thotë policia, janë kryer veprimet e nevojshme administrative dhe përpiluar dokumentacionet për siguracion për zhdëmtimin e tre mjeteve të përplasura nga drejtuesi i autoambulancës./ tvklan.al