Një nga përrallat më të bukura të Krishtlindjes, “Arrëthyesi” është e përzgjedhura e drejtores së Qendrës Kulturore për Fëmijë, Monika Lubonja, për ta sjellë premierë në sallën e Universitetit të Arteve.

25 fëmijë dhe 30 balerinë, nën regjinë e Andia Xhungës do të sjellin historinë që rrjedh nga tregimi “Arrëthyesi dhe mbreti miush” i Ernst Hoffmann. Libreti është një përshtatje mes baletit dhe teatrit.

E shkruar në vitin 1816, përralla rrëfen historinë e Marias së vogël dhe lodrës së saj të preferuar, Arrëthyesit, që rikthehet në jetë pasi fiton betejën më mbretin miush në një mbretëri magjike kukullash.

Elva Bella dhe Melina Dilo, janë kujdesur që kostumet e fëmijëve të jenë po aq të magjishëm sa fabula, nën muzikën e Saimir Çilit.

“Arrëthyesi” nën interpretimin e fëmijëve të Qendrës Kulturore, vjen premierë në pasditen e të martës dhe të mërkurës në sallën e Universitetit të Arteve./ TV KLAN