doreheqja e DiditJep dorëheqjen e parevokueshme nga detyra, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Ai ua ka komunikuar vendimin e tij me anë të kësaj shkrese fillimisht Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Shkak për largimin e Didit është bërë arrestimi i dy drejtuesve të lartë të Interpol Tirana, të akuzuar se kanë fshehur urdhër-arrestet e mbërritura nga Belgjika për Deputetin Mark Frroku.

Shkelja e procedurave ligjore të Specialistit të Interpolit dhe të Shefit të këtij sektori, shkelje që i vuri ata përpara përgjegjësisë penale, cënoi në një farë mase imazhin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ndonëse ishte ky institucion që korrigjoi gabimin. Për këto arsye, duke e vlerësuar si të papranueshme për prestigjin e institucionit të Policisë së Shtetit të cilin unë e drejtoj, duke vlerësuar që nuk pata kapacitetin e mjaftueshëm për të parandaluar një fakt të tillë, vendosa të jap dorëheqjen e parevokueshme nga funksioni i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Punonjësit e ndershëm të policisë të më gjykojnë për këtë vendim.

Didi thotë gjithashtu në letrën e tij të dorëheqjes se më këtë akt kërkon të japë edhe një model.

Modelin e punës që u mundova ta fus në institucion po e shoqëroj me modelin e dorëheqjes, kur diçka nuk ecën sipas pritshmërisë që ti ke të asaj pritshmërie që kanë të tjerët për punën e institucionit që ti drejton.

Mbrëmjen e së hënës u arrestuan Artan Bajraktari, Shef i Interpol Tirana dhe Loreta Alla, ish- Shefe Sektori e Interpol Tirana, tashmë specialiste pranë këtij institucioni.

Dy zyrtarët akuzohen për shpërdorim detyre, pasi mbajtën të fshehtë dy urdhër-arreste të mbërritura nga Belgjika për Deputetin Mark Frroku, në lidhje me akuzën e ngritur ndaj tij për vrasjen në bashkëpunim të shtetasit Aleksandër Kurti në vitin 1999 në Bruksel.

Urdhër – arrestet ndërkombëtare, të firmosur nga Interpol Brukseli, kishin ardhur dy herë rresht pranë Interpol Tiranës në Janar të vitit 2015, me datë 8 dhe 23, por kjo zyrë nuk i ka përcjellë shkresat në kohën e duhur pranë Prokurorisë së Përgjithshme, duke e bërë këtë gjë vetëm më 27 Mars, ashtu siç saktëson edhe vetë Prokuroria e Përgjithshme në kërkesën për autorizimin e arrestimit të Deputetit Frroku.

Artan Bajraktari është një emër i njohur i policisë shqiptare. Ai ka drejtuar edhe më parë zyrën e Interpol Tiranës, për gjashte vjet rresht nga viti 1999 deri në vitin 2005.

I specializuar në shumë vende, ai ka mbajtur gradën më të lartë të Policisë së Shtetit me rikthimin e tij në polici, dy vjet më parë.

Mbetet e pashpjegueshme se si një Oficer i vjetër dhe profesionist i policisë, për më tepër që ka drejtuar edhe më parë zyrën e Interpol Tiranës, ka bërë një shkelje të tillë, duke mos njoftuar jo vetëm Prokurorinë, por edhe eprorin e tij direkt, ish – Kryepolicin Didi, për shkresën e ardhur nga Interpol Brukseli, duke e mbajtur në sirtar për më shumë se dy muaj.

Mister që gjithsesi do të zbardhet me nisjen e procedimit penal ndaj tij nga organi i akuzës.

Tv Klan