cover

Është mbajtur të dielën në mbrëmje edicioni i 73 -të i çmimeve ndërkombëtare për kinematografinë dhe televizionin, “Golden Globe”. Ceremonia e vitit 2016 është zhvilluar në Beverly Hilton, në Los Angelos dhe si traditë e këtij eventi ka mbledhur të gjithë yjet e Hollywood -it.

Fituesit e këtij viti janë emra të njohur si, Leonardo DiCaprio, Matt Demon, Kate Winslet, Jennifer Lawrence, por dhe emra debutues si këngëtarja Lady Gaga.

Ka dominuar në ceremoninë e këtij viti filmi i interpretuar nga Leonardo DiCaprio, “The Revenant”. Krahas çmimit si filmi i më i mirë në kategorinë dramë, ai ka triumfuar dhe në dy çmime të rëndësishmë si, aktori më i mirë dramë, me Leonardo DiCaprio dhe regjia më e mirë, për regjisorin Alejandro G Inarritu.

Ndërkohë një tjetër pelikul që doli me disa trofe ishte filmi “The Martian”, i cili fitoi në kategorinë filmi më i mirë muzikal dhe komedi dhe aktori më i mirë, për Matt Damon.

Fitues të tjerë të mbrëmjes kanë qenë Jennifer Lawrence, si aktorja me e mirë në ndarjen komedi, për filmin “Joy”, Kate Winslet, si aktorja më e mirë jo protagoniste për filmin “ Steve Jobs” dhe Sylvester Stallone, si aktori më i mirë jo protagonist për filmin “Creed”.

Ndërkohë, ashtu siç është dhe stuktura e çmimeve “ Golden Globe”, u vlerësuan dhe seritë televizive më të mira. Fitues ishte seriali “Mr. Robot” për kategorinë drama dhe “Mozart in the Jungle” për atë muzikal – komedi.

Pikërisht në kategorinë e televizionit, ka fituar dhe Lady Gaga, si aktorja më e mirë për seritë televizive të kufizuara, për rolin e saj në “American Horror Story”.

Çmimet e kësaj ceremonie, njihen si “barometri” i çmimeve Oscar, që do të zhvillohen në muajin Shkurt./tvklan.al