ArvizuKur kanë mbetur tre ditë nga votimi në parlament i hartës së re territoriale, Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu apelon për kompromis mes palëve.

Sipas zyrtarit të lartë të Shteteve të Bashkuara, vendime të tilla me një ndikim të madh do të duhet të marrin në konsideratë edhe shqetësimet e banorëve, të cilët prej disa ditësh kundërshtojnë ndarjen me 61 Bashki, të propozuar nga qeveria.

Këtë deklaratë Ambasadori amerikan e bëri pas vizitës që bëri në selinë e Komunitetit Musliman për festën e Bajramit.

Alexander Arvizu – Ambasador i SHBA në Shqipëri: “Mendoj se qeveria ka bërë punë të mirë sa i takon zhvillimit të konsultimeve, por gjithashtu qartazi, ndërsa vijnë pranë kohës për të marrë një vendim, këto vendime do të kenë vërtet një ndikim të madh. Por janë dy gjëra të rëndësishme që duhet të mbahen parasysh: E para është që duhet të merren parasysh të gjithë shqetësimet që kanë votuesit e zonave të ndryshme. Por gjithashtu kjo është një reformë që vërtet supozohet të përfitojë gjithë vendi, dhe në mënyrë që kjo të ndodhë të gjithë duhet të bëjnë kompromis, të gjithë.”

Për Ambasadorin amerikan, kjo javë duket interesante për nga zhvillimet që priten në parlament.

Por për më shumë, u sugjeroi gazetarëve që të pyesnin kryetarin e Kuvendit, i cili në atë kohë po vazhdonte vizitën në Komunitetin Mysliman.

Alexander Arvizu – Ambasador i SHBA në Shqipëri: “Mendoj se do të jetë një javë shumë interesante. Mendoj se kjo është e natyrshme, por më shumë do të pyesni Kryetarin e kuvendit kur të zbresë poshtë. “

Por kreu i Kuvendit preferoi të shmangë çdo koment për votimin e reformës territoriale, duke i ftuar të gjithë të reflektojnë për një të ardhme më të mirë për vendin.

Ilir Meta – Kryetar i Kuvendit: “Është një ditë kur duhet të tregohemi më të gatshëm për të reflektuar për një të ardhme më të mirë për gjithë vendin. Kjo është një festë që nuk duhet të ndikohet nga zhvillimet e javës. Nga mot gëzuar Fiter Bajramin”.

Reforma territoriale do të jetë në parlament të enjten, në seancën e fundit të këtij sesioni.

Për t’u miratuar ajo kërkon 84 vota.

Por një javë më parë, disa ligje të rëndësishme që kërkonin shumicë të cilësuar, si ai për KLD –në, dështuan pasi disa deputetë të mazhorancës u larguan nga salla në kohën e votimit.

Në mesin e 5 deputetëve të Partisë Socialiste që nuk morrën pjesë në votim, disa kundërshtojnë reformën territoriale dhe disa të tjerë, ligjin për policinë.

Votën kundër hartës administrative e kanë shprehur edhe deputetët e mazhorancës, Vangjel Dule, Vangjel Tavo dhe Andrea Marto, ndërsa pro saj janë 5 deputetët e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet.

Tv Klan