Partia Socialiste do të mbledhë Asamblenë Kombëtare këtë të shtunë, ku do të miratohen disa rregulla të reja që vijnë pas ndryshimeve që ju bën statutit të kësaj force.

Një nga rregullat që do të duhet të zbatojnë të gjithë socialistët, që aderojnë në këtë parti, pasi të kenë marrë miratimin nga ky forum drejtues, është dhe Kodi i Etikës.

Ajo që bie në sy në draftin me 16 pika është rregulli që synon të vihet për të ndaluar rrjedhjen e informacionit në media nga mbledhjet e strukturave drejtuese, kur ato zhvillohen të mbyllura.

Neni 13, që përmban plotë 11 pika parashikon ndëshkime për çdo anëtar të PS, qoftë ai deputet apo thjeshtë anëtarë i Asamblesë Lokale që nxjerr në media vendime të marra në mbledhjet me dyer të mbyllura.

Për çdo dalje publike apo pjesëmarrje në debate mediatike, ata duhet të marrin leje dhe të konsultohen për çka do të flasin në emër të kësaj partie me Drejtorin për Marrëdhëniet me Median.

Nëse këto pika nuk respektohen, veprimet e çdonjërit prej anëtarëve cilësohen se ka kryer një veprim antistatutor dhe të dënueshëm.

Kjo rregullore e re duket se do t’i vendosi “fre” debateve brenda Partisë që ka prodhuar debatet më të mëdha publike dhe mediatike në këto 25 vjet pluralizëm.

Tv Klan