Parlament

Me 84 vota pro të maxhorancës dhe 1 kundër nga opozitari Nard Ndoka, parlamenti ka miratuar ndryshimet në kodin penal për ashpërsimin e dënimeve për ndërtimet pa leje.

Masat ndëshkuese në kodin penal për ndërtimet pa leje përfshinë më herët në debat disa deputetë të maxhorancës dhe kryeministrin Edi Rama.

Ben Blushi kërkoi që të rishikohet masa e ndëshkimit me burg, duke thënë se nuk beson që mënyra e vetme e korrektimit të shqiptarëve është burgu.

Kryeministri Rama u përgjigj duke thënë se këtë shqetësim e kishte patur edhe opozita dhe sqaroi se nuk ka asnjë kompleks në përdorimin e fjalës burg, kur bëhet fjalë për t’i dhënë fund një fenomeni që shqiptarët po e vuajnë prej më shumë se dy dekadash.

Riformulimin e nenit për ashpërsimin e dënimeve për ata që ndërtojnë pa leje e kërkuan edhe deputetët Spartak Braho e Fatmir Xhafaj.

Kryeministri tha më herët se ashpërsimet ndaj abuzuesve kanë sjellë rezultate edhe në operacionin kundër vjedhjes së energjisë.

Tv Klan