Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka pritur në takim përfaqësues të departamentit amerikan të shtetit në lidhje me asistencën kundër terrorizmit.

Delegacioni amerikan kryesohej nga William Maxwell përfaqësues i programit ATA.

Amerikanët vlerësuan maksimalisht punën e Policisë Shqiptare në drejtim të luftës kundër terrorit, parandalimin e këtyre akteve, ngritjen kapaciteteve dhe trajnimin e burimeve njerëzore, trajtimin me seriozitet dhe profesionalizëm të rasteve te ndjekura duke i finalizuar ato me sukses.

Ata vlerësuan Shqipërinë si partner me kontribute reale e të drejtpërdrejta në koalicionin antiterror dhe strukturat antiterror të policisë si partnerë të besueshëm dhe profesional në parandalimin, ndjekjen dhe goditjen e elementeve, grupeve terroriste në vend e më gjerë.

Ndërsa Çako tha se mbështetja që partnerët kanë dhënë e do të japin për këto struktura, kanë sjellë rezultate me impakt për vendin dhe rajonin.

Bashkëpunimi me partnerët si në reformat strukturore, trajnime dhe mbështetje me logjistikë bashkëkohore, i bën këto struktura garant për mbajtjen në nivele të ulëta të kërcënimit terrorist në vend dhe partnerë të denjë për hetime e operacione rajonale e ndërkombëtare, duke i dhënë një dimension të ri këtij shërbimi.

Ashtu siç u përmend edhe në raportin e DASH, përfaqësuesit e ardhur në vendin tonë theksuan se suksesi dhe bashkëpunimi me Policisë Shqiptare, është një shembull që duhet të ndiqet nga të gjitha institucionet shqiptare.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, Përfaqësuesit e DASH do të inspektojnë për disa ditë strukturat e posaçme të Policisë së Shtetit si: Antiterrori, RENEA, Policia Kufitare dhe Policia e Tiranës, për evidentimin e nevojave për trajnim, asistencë dhe logjistikë për t’u zbatuar në një plan afatgjatë./tvklan.al