Fatbardh-PlakuEkspertët e Prokurorisë së Krimve të Rënda janë rikthyer në shtëpinë e kryetarit të komunës së Farkës, Fatbardh Plaku. Duke shfrytëzuar edhe pamjet e kamerave të sigurisë ata janë përpjekur të rindërtojnë në terren skemën e ngjarjes ku u godit me antitank banesa e kryekomunarit.

Por një ditë më pas, për këtë ngjarje të rëndë nuk ka ende asnjë të dyshuar dhe aq më pak ndonjë të ndaluar. Paraprakisht u shoqëruan disa persona por që më pas u lanë të lirë.

Edhe përsa u përket pistave të hetimit, asgjë nuk është qartësuar pasi në deklaratën e tij kryetari i komunës është shprehur se nuk kishte ndonjë konflikt personal ndërsa kohët e fundit nuk ka patur ndonjë kërcënim qoftë edhe anonim.

Për hetimin e çështjes Prokuroria e Krimeve të rënda ka ngritur një grup pune. Fillimisht ekspertët njoftuan për vendosjen e një lënde shpërthyese në murin rrethues por më pas çështja u sqarua se kishim të bënim me një goditje me antitank.

Për fat të mirë predha nuk shpërtheu për shkak të barutit të skaduar.

Prej më shumë se 17 vitesh Fatbardh Plaku gëzon statusin e kryetarit të komunës së Farkës dhe asnjehëre nuk ka patur probleme që çojnë deri në kërcënime jete.

Në vitin 2011 Prokuroria e Tiranës në bazë të një kallzimi penal nisi hetimet për legalizimin e disa pronave në komunën Farkë. Mes të kallzuarve ishte dhe kryetari i Komunës për të cilin Prokuroria nuk ngriti një akuzë konkrete. Hetimet ndaj tij u pushuan ndërsa për kreyplakun e zonës dhe dy punonjës të tjerë të  komunës u ngritën akzuat e shpërdorimit të detyrës dhe fallsifikim dokumentash.