Qëndrimi në qeveri i ministrave teknikë kur ka kaluar më shumë se 1 muaj nga katastrofa që Partia Demokratike pësoi në zgjedhjet e 25 qershorit, Astrit Patozi  e quan një tjetër rekord negativ në CV-në e sfilitur politike të Lulzim Bashës. Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike shkruan në një reagim se

“shumica e demokratëve e kanë të vështirë të kuptojnë se për çfarë shërben kjo bashkëjetesë paqësore nën të njëjtën çati me Noriegën e shtetit të narkotrafikut, ndërkohë që po u thuhet se duhet të përgatiten për një dimër të fortë në opozitë.

Ka pasur shumë justifikime deri tani për ta përligjur “qëndresën” e tyre në shtëpinë e kundërshtarit, por asnjëri prej tyre nuk bind kërkënd. Më i “qëlluari” ngjan të jetë ai i Lulzim Bashës, sipas të cilit ata do të largohen, kur të mbarojnë së përpiluari raportet. Ndonëse asnjëherë nuk është thënë se për çfarë gjetjesh apo raportimesh bëhet fjalë. Dhe se çfarë zbulimesh për të demaskuar zgjedhjet e vjedhura dhe të blera mund të priten, ndërkohë që vetë Partia Demokratike, në dirigjimim e personalizuar të Bashës, nuk ka bërë asnjë denoncim, si gjatë fushatës, ashtu edhe ditën e votimeve”.

Patozi komenton edhe pretendimin sipas të cilit ministrat teknikë të Partisë Demoktratike nuk kanë pse të nxitohen për t’u larguar nga qeveria për aq kohë sa edhe ministrat e LSI-së nuk po ikin nga detyra.

“Pyetja e parë që të vjen ndërmend është se kur na qenka shndërruar LSI-ja në një model, që duhet ndjekur për Partinë Demokratike? Por më e rendësishmja, duam apo nuk duam ne, ministrat e Ilir Metës në qeverinë e Edi Ramës kanë status tjetër. Jo thjesht se nuk janë teknikë, si këta tanët. Por se janë në vijim të një marrëveshjeje 4-vjeçare, e cila skadon në shtator. Natyrisht, edhe ata mund të dorëhiqeshin, sepse ka ndryshuar shumë konteksti politik pas zgjedhjeve. Por nëse ikja apo qëndrimi i tyre mund të hajë debat, kjo rezistenca e teknikëve tanë në qeverinë e Partisë Socialiste nuk ka ku mbahet gjëkundi”

, shkruan Patozi.

Ministrat teknikë të Partisë Demokratike u përfshinë në qeveri si pjesë e marrëveshjes së 18 Majit dhe misioni i tyre u tha se do të mbaronte në 26 qershor. Pas humbjes në zgjedhje Lulzim Basha pranoi se prezenca e tyre në kabinetin Rama nuk arriti të frenonte tjetërsimin e votës dhe përdorimin e parave të drogës në zgjedhje, por nuk kërkoi tërheqjen e tyre nga qeveria. Basha nuk dha shpjegime për qëndrimin në qeveri të ministrave teknikë edhe gjatë garës për kryetar të Partisë Demokratike, kur iu kërkua të bënte transparente marrëveshjen me kryeministrin, i cili ka deklaruar se ministrat e PD-së nuk kanë më asnjë arsye për të qëndruar në qeveri. TV KLAN

 Statusi në Facebook i Astrit Patozit:

 KRUSHQIT TEKNIKË KANË “NGRIRË”

Shumica e demokratëve janë të mërzitur me mbijetesën e sforcuar e ministrave teknikë në qeverinë e Edi Ramës, ndonëse zgjedhjet kanë më shumë se një muaj që kanë mbaruar. Ata e kanë të vështirë të kuptojnë se për çfarë shërben kjo bashkëjetesë paqësore nën të njëjtën çati me Noriegën e shtetit të narkotrafikut, ndërkohë që po u thuhet se duhet të përgatiten për një dimër të fortë në opozitë.

Ka pasur shumë justifikime deri tani për ta përligjur “qëndresën” e tyre në shtëpinë e kundërshtarit, por asnjëri prej tyre nuk bind kërkënd. 

Më i “qëlluari” ngjan të jetë ai i Lulzim Bashës, sipas të cilit ata do të largohen, kur të mbarojnë së përpiluari raportet. Ndonëse asnjëherë nuk është thënë se për çfarë gjetjesh apo raportimesh bëhet fjalë. Dhe se çfarë zbulimesh për të demaskuar zgjedhjet e vjedhura dhe të blera mund të priten, ndërkohë që vetë Partia Demokratike, në dirigjimin e personalizuar të Bashës, nuk ka bërë asnjë denoncim, si gjatë fushatës, ashtu edhe ditën e votimeve.

Përgjigjen më të mirë atij ia kishte dhënë Artan Fuga, në një analizë ironike, ku e vërteta dhe groteskja rrinin shumë mirë bashkë. Ndaj edhe nuk po i shtoj gjë, sepse kam frikë se e prish.

Por ka edhe një pretendim tjetër, sipas të cilit, edhe ministrat e LSI-së nuk po ikin, ndaj nuk ka arsye përse të nxitojnë këta tanët.

Pyetja e parë që të vjen ndërmend është se kur na qenka shndërruar LSI-ja në një model, që duhet ndjekur për Partinë Demokratike? Por më e rëndësishmja, duam apo nuk duam ne, ministrat e Ilir Metës në qeverinë e Edi Ramës kanë status tjetër. Jo thjesht se nuk janë teknikë, si këta tanët. Por se janë në vijim të një marrëveshjeje 4-vjeçare, e cila skadon në shtator. Të mos harrojmë se vetëm një muaj e gjysëm më parë LSI ishte ende mazhorancë. Në opozitë e nxori marrëveshja e 18 majit, kur ajo u zbatua përpikmërisht më 25 qershor. 

Natyrisht, edhe ata mund të dorëhiqeshin, sepse ka ndryshuar shumë konteksti politik pas zgjedhjeve. Por nëse ikja apo qëndrimi i tyre mund të hajë debat, kjo rezistenca e teknikëve tanë në qeverinë e Partisë Socialiste nuk ka ku mbahet gjëkundi.

Në këtë pisk vape të gushtit, ajo i rrit më shumë temperaturat, edhe pa këtë të ndezura, në çadrën e Partisë Demokratike. 

Dhe kam bindjen e plotë, se pas asaj humbjeje dërrmuese në zgjedhjet e 25 qershorit, dhe sidomos pas farsës së demaskuar tashmë të 22 korrikut, “ngrirja” i ministrave teknikë në kabinetin e Edi Ramës, do të jetë një tjetër rekord negativ në CV-në e sfilitur politike të Lulzim Bashës. /

tvklan.al