Një atentat më armë zjarri ka ndodhur këtë hënë rreth orës 18:30, në fshatin Peladhi të Bulqizës.

Persona të pa identifikuar kanë qëlluar në drejtim të 29-vjeçarit Fadil Tërnova, gjatë kohës që ai ishte në timonin e makinës, një Land Rover më targa AA 489 RA.

Sulmi në fjalë ndodhi në rrugën që lidh fshatin Godvi me fshatin Peladhi dhe 29-vjeçari ka arritur që të largohet pa pësuar dëmtime, pasi i ka dhënë gaz automjetit dhe është larguar, rreth 500 metra nga vendi i ngjarjes. Më pas ai ka lënë automjetin në anë të rrugës dhe ka telefonuar policinë.

29-vjeçari udhëtonte i vetëm në makinë. Të paktën 2 plumba kanë prekur automjetin e tij, ndërsa në vendngjarje policia gjeti disa gëzhoja.

Forca të shumta policore të mbështetura dhe nga forcat e policisë së Dibrës kanë ngritur pika të shumta kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Policia sqaron se ngjarja po hetohet intensivisht, pasi Tërnova është person me rekorde të theksuara kriminale dhe penale.

I mbiquajtur si “i forti i Bulqizës”, Fadil Tërnova rezulton i arrestuar dhe i dënuar për disa vepra penale, përfshirë tentativë vrasjeje.

Ai ka qenë i dënuar me 10 vjet burg për një ngjarje të ndodhur në 2009-ën, ku plagosi rëndë një person. 3 vjet më pas ai u arrestua pasi u kap me armë dhe një krëhër me 8 fishekë. Për këtë vepër ai bëri vetëm 8 muaj burg.

Në Prill të 2013-ës, Tërnova dyshohet se ka vrarë një person dhe ka plagosur një tjetër (vëllezër). Për këtë ngjarje ai ka bërë vetëm 2 vjet paraburgim.

Ai rezulton i arrestuar në 2015 -ën nga forcat RENEA. Burime për ABC News thonë se Tërbova u lirua nga gjykata në 2016-ën dhe se po e shlyente dënimin e tij në shërbim prove. 

/tvklan.al