Një breshëri plumbash kallashnikovi la të vdekur në vend ish – Shefin e Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës, Ervin Dalipaj 39 – vjeç, i shpallur në kërkim prej 15 muajsh për vrasjen e Gazmend Çollakut.

Bashkë me të mbeti i vrarë edhe miku i tij, Xhino Dautaj. 

Atentati ndodhi në Sukth, në rrugën dytësore ngjitur me autostradën.

Dy viktimat po udhëtonin me një makine tip Audi, kur një breshëri automatiku ka dalë nga një makinë tjetër që po i ndiqte.

Burime nga grupi hetimor bënë të ditur për Televizionin Klan detaje të dinamikës së ngjarjes.

Mësohet se Dalipaj dhe Dautaj sapo kishin dalë nga një servis në rrugën dytësore në Sukth dhe po ecnin në drejtim të Sukthit për arritur hyrjen e autostradës, me qëllim për të udhëtuar drejt Tiranës, siç tregohet në këtë hartë grafike.

Mjeti drejtohej nga Xhino Dautaj, ndërsa Dalipaj ndodhej në ndenjësen e pasagjerit, në vendin e parë.

Pasi u qëllua nga një person, që ndodhej në një makinë ngjyrë të zezë, e cila është parë nga disa dëshmitarë, Audi A6, me të cilën udhëtonin dy viktimat doli nga rruga dhe pas afro 20 metrash, përfundoi në autostradë.

Ndërsa makina e vrasësve ka vazhduar rrugën drejtë me shpejtësi, në drejtim të Shijakut.

Dalipaj e Dautaj ishin goditur nga disa plumba dhe kanë gjetur vdekjen e menjëherëshme.

Në vendin e ngjarjes u gjetën shumë gëzhoja e predha kallashnikovi.

Policia po heton në dy pista kryesore.

E para lidhet me rrëmbimin dhe vrasjen e Çollakut në Janar të vitit të kaluar.

Dalipaj dyshohet se së bashku me Denis Shtrazën, që gjendet në burg, e kanë marrë në makinë Çollakun dhe pasi e kanë lidhur këmbë e duar, e kanë ekzekutuar, për motive ende të paqarta.

39 – vjeçari, në një intervistë televizive gjatë kohës që ishte në arrati, i pati mohuar akuzat. Por ai nuk u dorëzua asnjëherë përpara drejtësisë.

Por një pistë tjetër që po heton policia në lidhje me ngjarjen është edhe ajo e hakmarrjes së mundshme ndaj Xhino Dautajt.

I riu mësohet se ka qenë më parë i dënuar me 24 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së parë në Vlorë për vrasjen e Fatjon Banit, por është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit të këtij rrethi.

Hetimeve të policisë pritet t’u vijnë në ndihmë kamerat e sigurisë së disa bizneseve. Zona ku ndodhi krimi është e mbipopulluar nga biznese të ndryshme.

 Policia ka shoqëruar deri tani mbi 20 persona, dëshmitarë në vendin e ngjarjes dhe të dyshuar.

Tv Klan